Prania e një punonjësi të ri të Prokurorisë në sallën e gjyqit të Speciales më 27 mars të këtij viti, ngriti alarmin tek krerët e UÇK-së që janë të akuzuar aty.
Të njëjtin, ata e kishin parë edhe më herët në Qendrën e Paraburgimit në Haaglanden e Hagës si roje.
Ish-presidenti Hashim Thaçi me të parë personin në fjalë, bashkë me Kadri Veselin e Jakup Krasniqin përmes avokatëve kërkuan informata shtesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nëse ai kishte pasur qasje në materiale të ndjeshme që mund të ndikojnë negativisht në të drejtën e të akuzuarve për mbrojtje efektive.
“Mbrojtja pohon se: (i) ndërsa punonte në Njësinë e Paraburgimit, kishte kontakte të rregullta me katër të Akuzuarit, përmes të cilave ai pati mundësinë të mësonte për shqetësimet dhe preokupimet e tyre të përditshme; (ii) ai ishte i përfshirë në informacione të zbuluara nga ZPS-ja dhe Regjistri në përgjigje të kërkesave të Mbrojtjes”, thuhet në kërkesën e avokatëve drejtuar gjykatës.
Sipas mbrojtësve, përgjigjet nga ZPS erdhën me vonesë dhe nuk ishin të plota.
Prokurorët nga ana tjetër mohojnë çdo shkelje.
Sipas tyre, janë ndërmarrë kontrolle të brendshme dhe nuk është identifikuar asnjë konflikt interesi.
Ata pretendojnë se punonjësi është i detyruar me një marrëveshje konfidencialiteti dhe nuk ka përdorur asnjë informacion të mëparshëm në punën e tij aktuale.
“ZPS-ja përgjigjet se: (i) në kundërshtim me parashtrimet e Mbrojtjes, Regjistruesi përshkroi gjerësisht natyrën e detyrave në Njësinë e Paraburgimit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çështjes së materialeve të privilegjuara dhe të lidhura me çështjen; 32 (ii) Regjistruesi përcaktoi qartë se ai nuk kishte qasje në asnjë material të privilegjuar, qoftë dixhital apo fizik, dhe kjo është në përputhje me informacionin në dispozicion të ZPS-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit.
Por mbrojtja këmbëngul. Ajo thotë se vetëm prania e këtij personi, i cili mund të jetë në dijeni të informacioneve private, mjafton për të ngritur shqetësim serioz.
Ata kërkojnë transparencë të plotë dhe garanci që nuk është cenuar asnjë e drejtë ligjore e të akuzuarve.
Për rrjedhojë ata kanë kërkuar zbulimin e materialeve konfidenciale nga regjistri në lidhje me të gjitha angazhimet që ka pasur ky person në Njësinë e Paraburgimit.
Kjo kërkesë është refuzuar në tërësi nga Trupi Gjykues.