Këtë test, VOX Kosova nuk do të duhej ta posedonte.

Këto janë disa nga pyetjet e Provimit të Jurisprudencës, një test që, në rrethana normale, duhet të administrohej dhe të ruhej ekskluzivisht nga Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Nuk do të duhej ta kishte askush, përveç kandidatëve që futen në provim.

Megjithatë, testi është shpërndarë para se të vije data e provimit që ishte me më 13 dhe 14 qershor.

Ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi rezultati i tij përcakton se kush mund të vazhdojë rrugën drejt pozitave të prokurorit apo gjyqtarit.

Por ky keqmenaxhim ka edhe një histori paraprake, e cila ka hasur në ndeshje me ligjin.

Pushteti aktual, përkatësisht ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ndryshoi përbërjen e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, ndonëse mandatit të komisionit ekzistues i përfundonte funksioni në dhjetor të vitit 2026.

“Kërkesën për Komisionin e ri e kam bërë unë, në kompetencën time si ministre e Drejtësisë, dhe qëndroj fuqishëm pas vendimit për të propozuar një komision të ri, sepse mendoj se ka shumë arsye për të cilat komisioni i vjetër nuk do të duhej të vazhdonte punën e tij”, kishte deklaruar Donika Gërvalla në 24 prill, 2027.

Për çudi, për këtë komision nuk kishte pasur asnjë ankesë publike nga ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Megjithatë, përbërja e komisionit u ndryshua me 63 vota pro.

Kryetari i Gjykatës Supreme, në cilësinë e kryetarit të komisionit të mëparshëm, reagoi publikisht duke deklaruar se ndryshimi i komisionit kishte ardhur pasi “unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është kompetencë ekskluzive e Komisionit”.

E në krye të Komisionit të ri u emërua Arian Gashi, i cili, rastësisht ose jo, mori drejtimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Pikërisht ky institucion rihapi konkursin për Kryeprokuror të Shtetit me kërkesë të Albulena Haxhiut pa e përmbyllur procedurën e parë, në një proces që u interpretua gjerësisht si përpjekje për të bllokuar emërimin e Blerim Isufajt, kandidat të kundërshtuar nga pushteti.

E nëse ky test determinon gjyqtaret e prokurorët e së ardhmes, Donika Gërvalla duhet të na tregoj nëse rrjedhja e tij është nismë e kapjës së këtyre institucioneve.

Pasi siç thotë shefi i saj “Prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria”.