Vetëm tri ditë para se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të shpall aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ministri shqiptar i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, që është pjesë e VLEN-it – partnerit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – i ka dalur në ndihmë Speciales.
Në një postim në Facebook, Shasivari ka thënë se më 16 shtator, “nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet”. “Do të flasë gjykata”.
Ai ka kërkuar se çfarëdo vendimi të marrë Specialja ndaj krerëve të UÇK-së, të respektohet.
“Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës. Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari”, shkroi ai.
Ndonëse faktet janë të qarta për formën se si ka operuar Specialja, apo thënë ndryshe për shkeljen e të drejtave të njeriut që ia ka bërë krerëve të UÇK-së, tashmë e dëshmuar edhe me raporte ndërkombëtare, ministri shqiptar në RMV thotë se “Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë”, por sipas tij, “ka nevojë për besim në drejtësi”.
“Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë. Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, potencoi ai.
Si Ministër i Drejtësisë, Shasivari thotë se beson se “përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin”.
“Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore. Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë”.
Mesazhi institucional i tij për Kosovë tha se është: “Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve”.
“Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi. Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij. Ky është standardi evropian”, përfundoi ai.
Ky reagim i tij skandaloz vjen një ditë pasi që në Prishtinë, qindra-mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan në mbështetje të Hashim Thaçiy, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.









