Dokumente të siguruara nga VOX Kosova dëshmojnë se në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës u dha një tender prej 6.5 milionë eurosh për kompaninë MADEKOS nën procedura krejtësisht të dyshimta e me konkurrencë fiktive.
MADEKOS ia mori Kosovës afër shtatë milionë në tenderin për pajisje për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Bëhet fjalë për furnizim me karroca standarde, elektrike, speciale për persona me nevoja të veçanta, paterica për fëmijë e të rritur, dhe pajisje tjera ndihmëse.
Por, shumica e këtyre pajisjeve as nuk u shpërndan fare, duke mbetur në depo të ministrisë.
Ankesa për këtë tender në Organin Shqyrtues të Prokurorimit tregon se urgjenca nuk kishte të bënte fort me nevojën për të sjellë pajisjet, sa me dëshirën për t’i dhënë paratë.
Aty tregohet se u “përpilua specifikim i tillë i përshtatur pikë për pikë për prodhuesin Hoggi dhe Invacare, duke mundësuar trukimin e tenderit dhe keqpërdorimin e mbi 3.5 milionë eurove”.
Eksperti shqyrtues teknik i OSHP-së, kishte rekomanduar anulimin e njoftimit për kontratë. Pavarësisht kësaj, çuditërisht OSHP lejoi vazhdimin e procedurës.
Në këtë garë kishte marrë pjesë edhe një kompani tjetër, “Demos SHPK” sa për të siguruar konkurrencë.
Përfaqësues i kësaj kompanie në ARBK figuron Gentrit Shabani, ndërsa i MADEKOSIT, Bedri Buzuku, për të cilët VOX Kosova merr vesh se kanë lidhje familjare, që lehtë dëshmohet përmes këtyre fotografive e postimeve të përbashkëta në Facebook.
Hulumtimi nxjerr në pah edhe ndryshime të rëndësishme në kriteret e tenderit.
Në dosjen fillestare ishte kërkuar që operatori ekonomik të posedonte staf të certifikuar ndërkombëtarisht për montim, adaptim dhe trajnim lidhur me pajisjet.
Më vonë, SHSKUK e hoqi krejt këtë obligim.
Rrjedhimisht u obligua që të nënshkruajë një kontratë tjetër me mbi 123 mijë euro me Handikos për distribuim dhe montim.
Miliona euro të dhëna me urgjencë.
Specifikime copy-paste dhe tenderi që përfundoi aty ku dyshohej që në fillim.
E pajisjet? Me vite nëpër depo.
Kur SHSKUK-ja vepron në këtë formë me tenderet publik, i nderuar Arben Vitia, a thua çka bëjnë me tenderet nje burimorë në emër të urgjencës?








