“Unë nuk kam asnjë frikë në jetën time, as për të kaluarën time, as për të ardhmen time. Unë jam një nga themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk jam nga ata që ju kam bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, kështu ishte përgjigjur ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2019, kur ishte pyetur nëse ka frikë të përballet me drejtësinë.

“Unë në jetën e tij kam qenë luftëtar me pushkë në dorë që nga aksioni i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çka jam i dënuar nga Serbia në mungesë, së bashku me Komandantin Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tjerë”, thoshte Thaçi në Debat Plus.

Krenar për aktivitetin e tij kombëtar, Thaçi theksonte se ka qenë edhe me rolet e tij të mëvonshme.

“Edhe më vonë, më vonë në vitet ’97-’98, jam shumë krenar me rolin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës”.

“Edhe në angazhimet e mia të mëvonshme edhe për bërjen e Kosovës së pavarur dhe sovrane. Prandaj, askush nuk do të mund ta rishkruaj historinë”.

Ligji i vetëm që Thaçi thoshte se e ka shkelur dhe për të cilin është krenar, ka qenë ai i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

“Unë nuk kam shkelur, e as bashkëluftëtarët e mi, ligj ndërkombëtar. Në atë se ne kemi shkelur ligjet e Sllobodan Millosheviç-it, jam shumë krenar. E shoh angazhim human që i kemi shkelur ato ligje. Dhe e theksoj edhe njëherë, atë luftë që e kemi zhvilluar, nuk ka gjyq që mund ta zhvlerësojë”.

“Unë nuk jam fajtor pse jam gjallë. Rreth 40 herë e kam kaluar të minuar e të barrikaduar kufirin Kosovë-Shqipëri”.

Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqi, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i 2020-së, si të akuzuar nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Aktgjykimi ndaj tyre do të shpallet më 16 shtator.