Të nëntë (9) deputetët e Listës Serbe kanë dështuar që të zgjidhen nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Të nëntë janë votuar nga tre herë, por kanë dështuar.

Të gjithë i kanë marrë nga 9 vota për, pra vetëm deputetët e këtij subjekti politik votuan pro.

I pari që u propozua ishte Slavko Simiç. Në votimin e parë, Simiç mori 9 vota për, 54 kundër, 42 abstenime. Në të dytin 9 për, 54 kundër dhe 41 abstenime, ndërsa në votimin e tretë:  9 për, 53 kundër, 41 abstenime.

Pas Simiçit, Lista Serbe ka propozuar Zlatan Elek-un. Herën e parë, Elek mori 9 vota për, 52 kundër, 42 abstenime. Herën e dytë ishin, 9 vota për, 53 kundër, 42 abstenime. Herën e tretë, Elek mori 9 vota, 53 kundër, 41 abstenime.

Pas tyre, u propozuan edhe 7 deputetët e tjerë të Listës Serbe, e për të cilët rezultati ishte i njëjtë.

Seanca e së premtes për konstituimin e Kuvendit po mbahet pas një muaj e gjysmë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese – i treti për këtë proces.

Konstiutuimi i Kuvendit ka ngecur të zgjidhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Në Aktgjykimin që u publikua të mërkurën për çështjen e konstituimit të Kuvendit, u dha deputetëve të Kuvendit 12 ditë kohë për ta përfunduar procesin.