“Nuk kam parë vendim që thotë se Lladrovci nuk është PDK”, ka thënë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një konferencë për media pas mbledhjes së parë të kryesisë së partisë që kur është bërë kryetar.
“Ramiz Lladrovcin kurrkush nuk e ka përjashtu prej PDK-së. Unë nuk kam parë vendim që thotë zotëri Lladrovci nuk është PDK. Nuk një diçka të tillë brenda PDK-së, prandaj jam i bindur që ne bashkë të gjithë do të vazhdojmë edhe të garojmë, edhe ta maksimalizojmë votën për PDK-në”, deklaroi Hamza.
Ai përmendi faktin se është takuar me Lladrovcin pasi që është zgjedhur Kryetar i PDK-së. “E kam bë publike që jam takuar me Lladrovcin. Lladrovci është Kryetar i Komunës së Drenasit, edhe ai vetë deklaron se ‘unë jam PDK’. Prandaj, do të thotë pjesa dërrmuese e qytetarëve të Drenasit janë PDK”, shtoi.
Kjo deklaratë e Hamzës vjen në një kohë kur Lladrovci ka paralajmëruar se mund të garojë me listë të tij në zgjedhjet e ardhshme nacionale nëse kryesia e PDK-së nuk reflekton. Madje, para se Hamza të zgjidhej kryetar, kishte thënë se “do ta thyej në kurriz PDK-në”.
Jashtë kësaj, Hamza pohoi se partia që ai drejton nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, paçka se shprehu preferencat për koalicion me partitë e ish-opozitës.
“Sa i përket vijave të kuqe, për neve është më e preferueshme, më afër programeve tona politike, bindjeve tona politike, konceptuale që të jemi bashkë me partitë që kemi qenë në të kaluarën herë në pushtet, herë në opozitë”, tha Hamza. Jemi më të afërt në aspektin programor, konceptual me partitë që kemi qenë në periudha të ndryshme kohore edhe në Qeveri edhe kemi qenë mandatin e kaluar në opozitë”.
Ai konsideron se vijat e kuqe “është mirë mos me u vendos sepse është tregu e dëmshme për vendin”.
Sa i përket zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Hamza tha se partia që ai drejton ka vetëm një qëllim: fitoren.
“Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, potencoi ai ndër të tjera.









