Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk pret asgjë nga seanca e sotme, ku Albin Kurti do të prezantojë kabinetin e tij qeveritar dhe i njëjti të votohet nga deputetët. Ai ka theksuar se nuk ka shumicë parlamentare dhe sipas të gjitha gjasave do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Nuk pres asgjë. Punët e mira nuk lihen në ditën e fundit, por sot bie perdja e madhe e mashtrimit 8 mujor në të cilin mashtrim na është thënë vazhdimisht se numrat për formimin e qeverisë janë se ka shumicë se po bllokohet vullneti i popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku në hyrje të Kuvendit.
“…po shkojmë sipas të gjitha gjasave drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por sot le të shihet qartë ajo që kemi thënë gjithherë që bllokuesit e vërtetë janë ata që s’kanë arritur për asnjë moment të bëjnë një shumicë të thjeshtë me një marrëveshje politike siç i ka hije secilës parti politike”, deklaroi tutje ai.
Deputetët e LDK-së, thotë Abdixhku, “janë të lirë të votojnë siç mendojnë”, por thekson se “deri më tani kanë deklaruar në vazhdimësi secili prej tyre se pa marrëveshje politike s’ka kuptim të jetë shumica”.









