Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se është vetëm një kandidat i propozuar për President – Glauk Konjufca nga Vetëvendosje – dhe se duhet edhe një për t’u thirrur seanca për zgjedhjen e Presidentit.

“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në veçanti në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës procedura për zgjedhjen e Presidentit kërkon që në proces të jenë së paku dy kandidatë të vlefshëm. Procesi i votimit nuk mund të fillojë pa u përmbushur ky kusht themelor procedural”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

“Si rrjedhojë derisa nuk kemi së paku dy kandidat që kanë siguruar mbështetjen e nevojshme prej 30 deputetëve unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e Presidentit”, shtoi ajo.

Haxhiu u bëri thirrje deputetëve që të japin nënshkrimet edhe për një kandidat tjetër që të plotësohen kushtet që të thirret seanca për zgjedhjen e Presidentit.