Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë gjithëkombëtare kundër vrasjeve të grave, e cila do të mbahet sot, më 7 nëntor, në Prishtinë.

Protesta do të nisë në orën 12:00, te Katedralja “Nënë Tereza”, me kërkesë për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për rastet e dhunës ndaj grave.

Në thirrjen për protestë, organizata ka kërkuar që femicidi të shpallet urgjencë kombëtare, duke thënë se amaneti i Arlinda Zekajt për kërkim të përgjegjësisë duhet të vlejë për të gjitha gratë dhe vajzat në Kosovë.

“Arlinda Zekaj na e ka lënë amanet që të kërkojmë përgjegjësi, e këtë amanet ne po e zgjasim jo veç për Arlindën dhe çdo grua të vrarë, por edhe për çdo vajzë e grua të gjallë”, thuhet në reagim.

Kolektivi ka bërë të ditura edhe gjashtë kërkesat që do të adresohen përmes protestës.

Ndër to është shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit Suada Rama Hamza, kryetarit të gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësit Migjen Kastrati, ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj, togerit Faruk Muqolli dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë.

Organizata kërkon gjithashtu shkarkimin e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kërkesat e tjera përfshijnë trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingun apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.

“Patriarkisë shtetërore Arlinda ia ka lëkundë themelet, tani është e jona që këtë ta çojmë deri në fund, për t’i dhënë fund njëherë e mirë dhunës së shumëfishtë ndaj vajzave e grave në Kosovë”, thuhet tutje në reagimin e Kolektivit.