Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dalë kundër marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit, duke deklaruar se votën e saj nuk mund ta negociojë askush.

“Nuk e kam deleguar votën te askush”, ka shkruar ajo në një reagim në Facebook.

Ajo ka thënë se mbështetja që ka marrë nga qytetarët nuk i është dhënë “për të qenë numër në Kuvend” dhe as “për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”.

“Për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”, ka deklaruar deputetja.

Sipas saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por mbi të gjitha për “balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie”.

“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin”, ka shkruar ajo.

Deputetja ka theksuar se është kundër zgjedhjeve të reja, por ka thënë se shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u është paraqitur si fakt i kryer.

Ajo ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si është diskutuar kandidati për president, duke thënë se deputetët e LDK-së nuk janë konsultuar paraprakisht.

“Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”, ka deklaruar ajo.

Në fund, deputetja ka theksuar se nuk do ta delegojë përgjegjësinë që ka marrë nga qytetarët.

“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka përfunduar ajo.