“Nga ky moment e tutje, i konsiderojmë bisedimet e mbyllura, pa zgjidhje konkrete për çështjen e Presidentit”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një prononcim për media nga oborri i Kuvendit, Abdixhiku njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje për Presidentin, pasi që Kurti e ka kërkuar pozitën e Presidentit për Vetëvendosjen. Ai tregoi edhe propozimet që ia ka bërë Kurti.
“Ne kemi pasur dy propozime deri më tani, i pari ka qenë rreth pjesëmarrjes në Qeveri, ku LDK-së i jepet pozita e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri dhe propozimi i dytë ka qenë rreth Kryeparlamentarit. Në të dy rastet ka pasur insistim për ta mbajtur pozitën e Presidentit tek Lëvizja Vetëvendosje”, tha Abdixhiku.
“Kjo ka qenë pikërisht arsyeja pse kemi pasur bllokadë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ky propozim natyrisht siç kemi thënë vazhdimisht është i papranueshëm për LDK-në, meqë insistimi i VV-së dhe Kurtit ishte që mbajë edhe pozitën e Presidentit dhe kështu t’i ketë të tri institucionet kryesore”, shtoi ai.
Në këtë situatë, Abdixhiku potencoi se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tutje. “Nuk duam t’i marrim kohë… LDK është jashtë procesit diskutues për çështjen e Presidentit”.
Ai theksoi se kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin kushtetues për ta zgjedhur Presidentin dhe në rast se Kurti nuk arrin që ta bëjë këtë me partitë e tjera, do të përgatiten për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Do të thërras kryesinë e partisë dhe më pas le të presim edhe 7 ditë nëse palët tjera, partitë tjera bëjnë zgjidhje. Në qoftë se jo, atëherë duhet të bëhemi gati për skenarin më të rëndë, më të keq, më të pakuptueshëm – të zgjedhjeve të reja”, potencoi ai.








