Seanca e thirrur nga opozita për të diskutuar rreth rritjes së çmimit të naftës nuk arriti t’i mbajë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në sallë deri në fund.
Kjo sepse, pas pauzës së thirrur nga zëvendëskryesuesi i Kuvendit, Ardian Gola, deputetët e mazhorancës nuk u kthyen fare në seancë për të vazhduar diskutimin rreth çështjes më të rëndësishme në vend aktualisht, ngritjes marramendëse të çmimeve të naftës.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i kërkoi Golës që t’i ftojë anëtarët e LVV-së në seancë.
“A mundeni, ju lutem, të kontaktoni me përfaqësuesit e partisë suaj dhe të Qeverisë që ta dimë nëse do të jenë sot në seancë apo jo. Është ekstremisht joserioze, jo në raport me ne, por në raport me qytetarët e Kosovës që asnjë deputet, asnjë ministër të mos jetë prezent në ditën kur po diskutojmë një temë që po i rëndon qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi Çitaku.
Gjithsesi, këtë përgjegjësi nuk e mori zëvendësi i Albulena Haxhiut.
“Nuk është kjo detyrë e imja, kontaktoni me shefen e grupit parlamentar”, tha Ardian Gola.
Ndërkohë, në pjesën e parë të seancës pati kundërshtime mes pozitës dhe opozitës sa i përket ideve të paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës, uljes së akcizës dhe heqjes së TVSH-së për naftën.
Ministri i Financave e kundërshtoi ashpër këtë ide, duke thënë se kjo do të dëmtonte të hyrat e shtetit.
“Ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon 50 litra naftë në muaj përkthehet në 8 euro. Ju kujtohet kur kemi filluar shtesat e fëmijëve me 10 euro, këta thonin se janë vitra, e tash propozimi i tyre është: ulni akcizën që të kursejnë 8 euro në muaj, ndërsa për shtetin kjo përkthehet në 10 milionë euro më pak të hyra në muaj”, deklaroi Murati në seancë.









