Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal, duke pretenduar se synon t’ua marrë komunave kompetencat që u takojnë.

Rama ka ngritur këtë shqetësim në takimin e katërt të Grupit Punues për Kosovën të Komitetit Evropian të Rajoneve (CoR), i mbajtur sot në Mitrovicën e Jugut.

Sipas tij, dobësimi i komunave nënkupton edhe dobësim të demokracisë, pasi ato janë institucionet më të afërta me qytetarët dhe i njohin më mirë nevojat e tyre.

“Decentralizimi, autonomia lokale dhe subsidiariteti janë parime themelore të Evropës që synojmë. Nuk mund të kërkojmë integrim evropian, ndërkohë që largohemi nga këto parime në praktikë”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se Kosovës i duhen komuna të fuqishme dhe institucione që bashkëpunojnë, duke premtuar se do të vazhdojë ta mbrojë autonominë lokale.

“Më shumë autonomi për komunat. Më shumë pushtet për qytetarët”, ka përfunduar Rama.