Kuvendi Komunal i Komunës së Zetës në Mal të Zi miratoi të martën një deklaratë për ta çnjohur pavarësinë e Kosovës në territorin e saj.
Ky vendim, sipas Ministrit shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, është i ndikuar nga Serbia. Por, shton se i njëjti nuk ka asnjë vlerë juridike.
“Janë subjekte të cilat diktohen ose e kanë diktatin prej Beogradit dhe mundohen që Malin e Zi ta ngadalësojnë në rrugën e vet në BE, por është proces i pandalur. Kështu që edhe kjo përpjekje që e kanë ba është e pavlerë. D.m.th nuk ka vlerë juridike, s’ka asnjë farë vlere”, tha Gjeka për VOX Kosova.
Ai theksoi se shqiptarët në Mal të Zi do ta përcjellin me vëmendje situatën dhe siguroi se vendimi i Zetës nuk ndikon në marrëdhëniet e shtetit malazez me Kosovën.
“Ne si shqiptarë në Mal të Zi e përcjellim me vëmendje këtë dhe nuk besoj që mund të ketë lëvizje sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë edhe politikës sonë në Mal të Zi, politikës për marrëdhënie të mira me rajonin dhe politika është e bashkërenduar me politikën e BE-së, kështu që nuk ka lëvizje në atë aspekt. Na shqiptarët që jemi brenda këtë e përcjellim me vëmendje, kështu që pa merak në këtë aspekt, do jemi vigjilent”, deklaroi ai.
Pro vendimit për çnjohjen e pavarësinë e Kosovës në Komunën e Zetës votuan këshilltarët komunalë të partive pro-serbe në Mal të Zi.








