Për Vlora Çitakun, deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk ka asnjë dilemë që qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që ta thellojë krizën dhe defunksionalizojë të gjitha institucionet.

“Kriza në të cilën jemi, nuk është një krizë procedurale, nuk është rezultat i një keqkuptimi, është e qëllimshme dhe ka për synim që të thellojë krizën politike dhe institucionale në vend”, ka thënë Çitaku në një konferencë për media nga holli i Kuvendit të Kosovës.

Ajo iu kundërpërgjigj edhe Albulena Haxhiut, e cila tha se opozita herë e konsideron Ushtruese të detyrës së Presidentes, e herë jo, duke iu referuar letrës që i kanë dërguar sa i përket emërimit të anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa nuk kanë shkuar kur Haxhiu i ftoi për takim për të diskutuar për çështjen e Presidentit.

Në këtë drejtim, Çitaku deklaroi se qëllimi i VV-së është “defunksionalizimi” i të gjitha institucioneve, përfshirë KQZ-në.

“Zonja Haxhiu është deputete, njëlloj sikurse jam edhe unë. Ndërkohë që KQZ-ja është një organ i pavarur, mbase është edhe qëllim i VV-së që të defunksionalizojë të gjitha institucionet përfshirë edhe KQZ-në, sikurse që ka defunksionalizuar pothuajse çdo mekanizëm institucional në Republikën e Kosovës”, shtoi ajo ndër të tjera.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e bëri përgjegjës Kurtin për bllokadën.

Ai theksoi se Kryetari i VV-së mendon që opozita do të lodhet me aksionet e tyre që kanë filluar tash e disa ditë, por ia bëri me dije se kjo nuk do të ndodhë.

“Marrja më e madhe që e ka kapluar partinë politike që i ka fituar zgjedhjet, e cila po i thotë tash, qysh na thoshte neve struk diçka në zyrat e veta e po na dëgjon çka do të themi këtu e po mendon që ne do të lodhemi, do të mendojë që këto veprimet tona nuk do t’i bëjmë për shkak se mundemi me pa ndryshe apo kështu. Por, ne s’kemi punë tjetër, nuk kemi detyrë tjetër veçse me ardhë në vendin tonë, karrigen tonë, sallën tonë që na ka besuar qytetari i Kosovës me votën e vet, që na ka dhënë sovrani edhe i cili i kërkon me plot të drejtë prej neve kudo që jemi, në rrugë e në institucione me na parë dhe me lënë institucionet”, potencoi ai.

Tahiri ia rikujtoi Kurtit se janë të gatshëm ta votojnë Presidentin nëse i plotësojnë gjashtë kushtet e Aleancës – pranimi i projektit të gazit amerikan njëra ndër to.