Deputetja boshnjake Duda Balje ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë votim në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se raportet mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë ndryshuar.

Para nisjes së seancës, Balje tha se nuk ka zhvilluar takim me përfaqësues të VV-së dhe se nuk sheh asnjë arsye për ta ndryshuar qëndrimin e saj.

“Jo, takim nuk kam pas. Unë nuk e ndryshoj qëndrimin prej herës së fundit. Kurrgjë s’ka ndryshuar mes partisë time dhe Vetëvendosjes dhe nuk kam asnjë arsye për të reaguar ndryshe”, deklaroi Balje.

Ajo shtoi se sot nuk do të votojë “kurrgjë”, as për konstituimin e Kuvendit e as për një qeveri eventuale, duke theksuar se mes saj dhe Vetëvendosjes nuk ekziston besimi politik.

Ndërkohë, deputetja tjetër boshnjake, Emilja Rexhepi, u shpreh se do ta votojë konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, por shmangu përgjigjen nëse do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Kemi obligim si deputet të votojmë Parlamentin, kryetarin, nënkryetarët edhe për ta hapur rrugën për formimin e Qeverisë”, tha Rexhepi, duke u përgjigjur shkurt për mundësinë e përfshirjes në ekzekutiv: “E shofim…”.