Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj nismës së PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, LVV ka kërkuar që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se kërkesa e dorëzuar në Kushtetuese nuk është tërhequr.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike”, ka thënë LVV.
Sa i përket projektligjit të PDK-së, nga Vetëvendosje kanë thënë se do ta shqyrtojnë atë nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore dhe efektet që mund të ketë në procedurat që po zhvillohen në Hagë.
LVV ka theksuar gjithashtu se, duke qenë se rastet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo ndërhyrje duhet të vlerësohet edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast.
Sipas tyre, në këtë fazë nevojitet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, me vlerësim të plotë të pasojave juridike, veçanërisht në raport me procedurën e apelit.
Reagimi i LVV-së vjen pasi PDK-ja sot dorëzoi në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.









