Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i shkurtër në përgjigjen e tij sa i përket çështjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se do t’i përgjigjen këtij obligimi nesër (e mërkurë), por pa dhënë detaje shtesë.
“Më duhet me shku në Llap tash. Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive dhe besoj që do të shkojë mbarë e mirë gjithçka”, tha Kurti për mediat.
Të martën, një ditë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thirri seancën konstituive të Kuvendit për 11 shkurt (nesër).
Kurti nuk dha detaje se kush do të jetë kandidati i tyre për Kryetar të Kuvendit, duke qenë se Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, i takon ta bëjnë propozimin për kryeparlamentar, por as nuk tregoi nëse do të votohet të mërkurën edhe Qeveria.









