Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij nuk është penduar për vendimin që të mos marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, Gruda tha se ky vendim nuk është marrë me ngut, pa diskutim apo si rezultat i ndonjë inati, por si një qëndrim i menduar i partisë.

“Nuk jemi pishman, sepse kjo nuk është një përgjigje e marrë me ngut, as pa një diskutim dhe as si rezultat i ndonjë inati. Përgjigjja ‘jo’ është fare e thjeshtë, sepse nuk ka ndryshuar asgjë para zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka thënë Gruda.

Ai ka kritikuar qasjen e Kurtit pas takimeve me partitë opozitare, duke pretenduar se kryeministri në detyrë vazhdon të ketë të njëjtat ambicie politike.

“Zoti Kurti i ka shfaqur të njëjtat pritje dhe ambicie. Ai po do t’i marrë të gjitha pushtetet, përfshirë edhe postin e presidentit. Po përpiqet të krijojë përshtypjen se po e ndan pushtetin me opozitën, por nuk po e ndan atë”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Gruda i ka cilësuar takimet politike si një proces që, sipas tij, shërben vetëm për të prodhuar lajme.

“Ne nuk kemi nevojë të marrim pjesë në një teatër politik, ku shkohet në takime vetëm për të prodhuar lajme që i duhen Kurtit”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se me asnjë kusht nuk do të votonte për një president të propozuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Me u mbajtur zgjedhje çdo një javë, çdo të diel, nuk kam votë për president të VV-së”, ka deklaruar Gruda.

Ai ka thënë se PDK-ja nuk është për një marrëveshje që do t’i jepte Kurtit kontroll mbi të gjitha institucionet, por as për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

“Ne nuk shkojmë të negociojmë me një njeri që i do të gjitha pushtetet, por as nuk duam ta çojmë Kosovën në zgjedhje. Ne qëndrojmë me opozitën dhe do të negociojmë me të tjerët”, ka përfunduar Gruda.