“Gjashtë vjet keqqeverisje. Gjashtë vjet korrupsion. Gjashtë vjet mashtrim. Rezultatet nuk mund të jenë ndryshe”, ka thënë Hykmete Bajrami, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Këto komente, Bajrami i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që u publikuan pamje për gjendjen e tmerrshme në Klinikën e Pediatrisë, por edhe për raportimet për mungesë barnash në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, Bajrami kërkoi të mos gjykohet nga konferencat për media, “nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë e që kurrë nuk e përfshijnë inflacionin, as nga dy-tri korridore të renovuara në QKUK”.
“Pyetni të sëmurët. Shkoni në Pediatri. Shkoni në Gjinekologji. Shkoni në Onkologji. Shkoni në Ortopedi dhe shihni listat e pritjes, ku për shkak të dështimit të tenderëve për furnizim me material, pacientët presin me vite për një ndërhyrje”.
“Shkoni edhe në Emergjencë”, kërkoi ajo, “por mos i fajësoni mjekët dhe infermierët”. “Ata punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë ta mbajnë në këmbë sistemin. Përgjegjësia nuk është e tyre”.
Gjendja në shëndetësi, thekson Bajrami, nuk është rastësi. “Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është ‘korrupsion’”.
“Pas gjashtë vjetësh me të gjitha nivelet e pushtetit në duar dhe me rreth 4 miliardë euro buxhet çdo vit, ta kesh shëndetësinë në këtë gjendje është turp”.
Në shëndetësi, sipas saj, pothuajse gjithçka kalon përmes tenderëve. “Ka tenderë milionësh për pastrim, ndërsa menaxherët e kontratave të cilët vetë janë pa mbikëqyrje nënshkruajnë raporte se gjithçka është në rregull”, shtoi ajo.
Ka tenderë për çarçafë, potencoi ajo, por shton se nëpër klinika “pacientët duhet të shtrihen në gjakun e tharë të pacientëve paraprak, mungojnë edhe gjërat më elementare”. “Ka tenderë për ushqimin e pacientëve, ndërsa ofrohen porcione që nuk vlerë as 2 euro por paguhen shumëfish më shtrenjtë”.
“Dhe kështu vazhdon: tender pas tenderi, shok pas shoku, deri te shoku i ngushtë i kryesuesit të Komisionin për Shëndetësi, Albin Kurtit”, potencon ajo.
“Po edhe dhjetëra miliona euro tenderë për barna, por barnat mungojnë. Mediat dje raportuan se që tre muaj në QKUK mungojnë barnat për trajtimin e kancerit të gjirit. Në vend të tyre, pacientëve u jepen udhëzime se ku dhe cilin brend duhet ta blejnë ata me paratë e veta”.
Prandaj, siç thotë ajo, “nuk duhet të habitemi me gjendjen që shohim sot. Klinikat përballen me mungesa të vazhdueshme, pacientët presin me muaj e me vite”.
Për këtë gjendje, Bajrami nuk ka dilema se përgjegjësi mban pushteti që ka qeverisur. “Shëndetësia si asnjë sektor tjetër pos ministrit ka një komision që udhëheqet nga vetë Albin Kurti”.
Sot gjendja në shëndetësi, thekson ajo, është alarm, “sepse kur dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, dështon shteti”.









