Shtatë persona kanë vdekur në vendin e punës në katër muajt e parë të vitit 2026. Për shkak të kësaj situate, Ministria e Punës ka marrë vendim për inspektime të jashtëzakonshme.
Lajmin për vdekjen e punëtorëve, e ka bërë të ditur Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës. Kryetari Jusuf Azemi ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore.
“Janë 7 persona. Duhet pronarët e kompanisë ta zbatojnë ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin”, ka thënë Azemi.
Përgjegjësia kryesore, thekson Azemi, bie mbi pronarët e kompanive, të cilët, sipas tij, duhet të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Ai ka urdhëruar Inspektoratin e Punës për inspektim të jashtëzakonshëm.
“Me vendimin e nënshkruar nga Ministri Hoti, urdhërohet Inspektorati Qendror i Punës që të hartojë një plan emergjent për fillimin e menjëhershëm të një aksioni të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve. Ky aksion do të zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me fokus të veçantë në kantieret ndërtimore dhe aktivitetet me rrezik të lartë”, thuhet në vendim.
Qëllimi i këtij aksioni theksohet se është “rritja e nivelit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, parandalimi i aksidenteve në vendin e punës dhe mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”.
Reagim ka pasur edhe nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës. Ata kanë thënë se humbja e jetës së shtatë punëtorëve vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2026 “përbën një tregues serioz dhe një thirrje të qartë për veprim të menjëhershëm në drejtim të forcimit të zbatimit të standardeve të sigurisë në çdo vendpunishte, pa përjashtim”.
Nga kjo shoqatë kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
“Në të njëjtën kohë, theksojmë se trajtimi i këtyre rasteve duhet të bazohet në analiza profesionale, të balancuara dhe të çliruara nga çdo tendencë për përgjithësim apo fajësim të njëanshëm të sektorit. Ndërtimtarët, kompanitë dhe investitorët janë drejtpërdrejt të interesuar në garantimin e kushteve të sigurta të punës dhe nuk mund të trajtohen si burim i rrezikut, por si partnerë kyç në menaxhimin dhe minimizimin e tij”, thuhet në reagim.
Shoqata e ndërtimtarëve, ndër të tjera, thekson se siguria në punë nuk mund të reduktohet në masa ndëshkuese; “ajo ndërtohet mbi përgjegjësi profesionale, përgatitje të duhur dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet kompanive, punëtorëve dhe institucioneve”.









