Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë më 11 maj një takim të përbashkët me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ndër të tjera, sipas REL-it, pritet që kryediplomatët e vendeve të BE-së, të diskutojnë për përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në qershor të këtij viti në Tivat të Malit të Zi.
Diplomatë evropianë të përfshirë në përgatitjet e takimit, sipas REL-it, kanë paralajmëruar se fokusi i diskutimit mes ministrave evropianë dhe homologëve të tyre nga rajoni do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, rritja e qëndrueshmërisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimeve të jashtme negative, harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe sanksionet, si dhe marrëdhëniet ndërmjet vetë vendeve të rajonit.
Zyrtarë të njohur me përgatitjet e takimit kanë theksuar për REL-in se ndër temat që Brukseli dëshiron t’i mbajë në fokus do të jetë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto burime paralajmërojnë se zyrtarët e Brukselit nuk janë të kënaqur me dinamikën e procesit.
“Megjithëse në muajt e fundit ka pasur disa rezultate, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ende nuk ka dinamikën që do të dëshironim të shihnim. Presim që gjatë diskutimit të jepet një shtysë shtesë për ta avancuar procesin”, tha një diplomat evropian për REL-in që dëshironte të mbetej anonim.
Ky zyrtar konfirmoi gatishmërinë e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, që, siç tha ai, “ta luajë rolin e saj” në këtë proces.
Megjithatë, diplomatët në Bruksel paralajmërojnë se, pavarësisht gatishmërisë së saj për të thirrur një raund të ri të dialogut te nivelit të lartë, “situata e brendshme në Kosovë e vështirëson realizimin e këtij qëllimi për shkak të cikleve të vazhdueshme zgjedhore në vend, gjë që reflektohet drejtpërdrejt edhe në vetë procesin e dialogut”.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut në shtator të vitit 2023.









