Richard Grenell, Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione Speciale, mbështet pafajësinë e Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Kështu ka thënë Taulant Balla, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, pas një dreke pune që ka pasur me Grenell-in në Mynih të Gjermanisë, në margjinat e Konferencës së Sigurisë.

“Mirënjohje të Dërguarit Special Grenell për mbështetjen mbi pafajësinë e Presidentit Thaçi dhe drejtuesve të UÇK”, shkroi Balla në Facebook.

Jashtë kësaj, Balla ka thënë se ftesa për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Bordin e Paqes të iniciuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump, “e ka ngjitur Shqipërinë në nivelin më të lartë të vendimmarrjes, aty ku diskutohen politikat globale të paqes dhe garantimi i saj përmes sigurisë”.

“Shqipëria shihet sot si aktor që kontribuon në zgjidhje globale, jo thjesht si pjesë periferike e tyre”, shtoi ai.

Grenell ka qenë vazhdimisht kritik ndaj Gjykatës Speciale dhe mënyrës se si ka vepruar ajo në raport me ish-krerët e UÇK-së.

Në një reagim përmes një postimi në rrjetin social X, më 16 tetor 2025, ai kishte thënë se Gjykata Speciale në Hagë është “tërësisht e korruptuar” dhe kishte vlerësuar që të njëjtës “duhet t’i ndërpritet financimi”.

“Jack Smith ishte një nga prokurorët e saj që arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës [Hashim Thaçi] më shumë se pesë vjet më parë”, thoshte Grenell.