Oda Ekonomike Amerikane është shprehur e shqetësuar lidhur me inspektimin e djeshëm të bërë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në qumështoren “Vita” në Istog. Sipas kësaj Ode, “angazhimi i një numri kaq të madh inspektorësh ndaj një kompanie të vetme përbën një veprim të paprecedent që ngre shqetësime serioze lidhur me proporcionalitetin, domosdoshmërinë dhe qëllimin e këtij intervenimi”.

“Veprime të kësaj natyre krijojnë perceptimin e një trajtimi selektiv dhe tendencioz, duke minuar besimin e komunitetit të biznesit dhe duke dërguar sinjal shqetësues për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e Odës.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj lidhur me përkeqësimin e mjedisit të të bërit biznes, si pasojë e pasigurisë juridike në rritje, paparashikueshmërisë institucionale dhe zbatimit jokonsistent të ligjit. Raste si ky vetëm sa i përforcojnë këto shqetësime dhe e dobësojnë më tej besimin e investitorëve në Kosovë”, shton.

Qumështorja “Vita” u mbyll dje(e enjte, 2 korrik) me vendim të Bordit të kësaj kompanie pasi një numër i madh inspektorësh të AUV-it, zbarkuan në fabrikën e saj në Istog.