Një zell i jashtëzakonshëm për ta lartësuar presidentin, Donald Trump, e kaploi Vjosa Osmanin në vitin e fundit të mandatit të saj si presidente.

Diçka të tillë nuk e kishte në muajt e fundit të mandatit të parë të Trump dhe kur ai humbi zgjedhjet.

Asokohe, Vjosa Osmani, si presidente, mendonte se një marrëveshje e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, cenonte rendin kushtetues të Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në vitin 2020 nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, për Osmanin ishte një politikë që dëmtoi interesat strategjike të Kosovës.

“Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive, të çakorduar nga e kaluara, dhe fatkeqësisht duke pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike, por edhe u shuan dritat e politikës sonë të jashtme”, deklaronte ajo në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, në dhjetor 2021.

Ishte kjo koha kur Osmani kishte braktisur Lidhjen Demokratike të Kosovës, ani pse kjo parti e bëri kandidate për kryeministre, dhe u rreshtua me Albin Kurtin.

Osmani nuk nxori asnjë fjalë për akuzat e rënda të Kurtit në vitin 2020 se në Shtëpinë e Bardhë po përgatitej një marrëveshje me “thika mbi hartën e Kosovës”.

Nuk reagoi as ndaj deklaratave të mikes së saj dhe bashkëpartiakes në Guxo, sipas së cilës në mandatin e parë “as Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar ndonjëherë për Kosovën, por vetëm për veten e tyre”.

Por, kur Trump u rikthye sërish në Zyrën Ovale, ndryshoi edhe përshtypja e Vjosa Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe për vetë përkushtimin e Shtëpisë së Bardhë ndaj Kosovës, veçanërisht në raport me dialogun me Serbinë.

Ajo po përshtatej gradualisht me situatën e re në SHBA.

Marrëveshja e Avdullah Hotit tashmë konsiderohej e mirë dhe e zbatueshme.

“Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por aty ku shoh më shumë potencial është të shkosh përtej saj. Përvoja jonë me administratën Trump është se ata janë veprues, i kryejnë gjërat, kështu që mendoj se ka potencial për të bërë gjëra të rëndësishme”, deklaronte ajo në korrik 2025 në një ligjëratë në Hudson Institute në SHBA.

Më pas, do të vërshonin lavdërimet e saj për Trumpin si një njeri të paqes dhe si garanci për sovranitetin e Kosovës.

“Ishte gjatë mandatit të parë të Trump që kemi arritur shumë suksese, dhe tani besojmë vërtet se gjatë mandatit të dytë të Trump mund të ketë përparim në shumë nga çështjet që kanë mbetur pezull sa i përket Ballkanit Perëndimor”, thoshte Osmani në dhjetor 2025 në një intervistë për Bloomberg.

“Presidenti (Trump) ka qenë gjithmonë një lider që flet me qartësi, forcë dhe bindje, duke reflektuar fuqinë që është dëshmuar në pjesën tonë të Evropës”, deklaronte ajo në shtator 2025 në Fox News.

Pjesëmarrjen e saj në Bordin e Paqes, një iniciativë e Trumpit, ajo u përpoq ta kapitalizonte fort në favor të saj, edhe në përpjekje për një mandat të dytë.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump përmes kësaj iniciative historike”, shkroi ajo kur mori ftesën në janar 2026.

Kjo iniciativë globale për paqe nga Trumpi ishte, në fakt, edhe goditja e fundit në luftën mes saj dhe Kurtit – që do të çonte në moskandidimin e Osmanit nga Vetëvendosje.

Dhe kjo ndodhi edhe pse ajo pretendonte se i ishte premtuar kandidimi dhe madje kishte rol në zhvillimet politike të bllokadës së vitit 2025.

Ditët e para të saj jashtë pushtetit, megjithatë, nuk treguan një ndryshim të ri në raport me Trumpin.

Ajo vazhdon ta shohë këtë administratë si një garanci të fortë për Kosovën.

“Garanci e shkruar, e betonuar nga Presidenti Trump që nuk preket integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës”, tha ajo para pak ditësh në një intervistë në Pressing T7.