Si të “mjerueshme” dhe të “tmerrshme” i ka konsideruar Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pamjet të cilat i publikoi VOX Kosova të enjten, ku shihej gjendja katastrofale e kampit të Policisë së Kosovës “Enver Zymeri” në Mitrovicë. Sipas Berishës, Kosova aktualisht është në gjendjen më të rëndë ndonjëherë sa i përket sigurisë dhe ka kërkuar nga Qeveria që të mos bëj lojëra me këtë sektor.

“Pamjet e fundit që i kemi pa në kampet e Policisë së Kosovës, sidomos ato në Mitrovicë, po edhe gjithkund janë të mjerueshme, janë të tmerrshme. Jemi në një situatë më të rëndë që kemi qenë ndonjëherë, sidomos në aspektin e sigurisë, duke pa se çka po ndodh edhe për rreth nesh”, tha Berisha në një konferencë për media të premten.

Ai kërkoi nga Qeveria që të mos bëj lojëra me sektorin e sigurisë.

“E kisha lutur këtë lloj qeverie që nuk po do me qeverisë, se i ka krejt numrat, e ka buxhetin e gjitha, mos të bëj lojëra sidomos me këtë sektor: Policinë, Ushtrinë dhe Inteligjencën”.

“Ju e keni pa që ndahet buxhet, mirëpo nuk kryhen punët kurrë. Gjendja është e keqe, do të rrimë kujdestar edhe do të shikojmë se çka po ndodh me atë sektor, edhe i kisha lutur që mos të bëjnë më lojëra”.

Berisha deklaroi se “ka marrë fund më populizimi”. “Kanë marrë më fund rrenat e dallaveret. Policia e Kosovës është në gjendje të të keqe, për të mos thënë se nuk kanë as uniforma e as veshmbathje”.