Ky në foto është Slavko Simiç, deputet i Listës Serbe, ndërsa ky tjetri, i përqafuar me të, është Vladimir Radivojeviç, i njohur me nofkën “Mami”, i cili është në kërkim nga autoritetet kosovare, pasi dyshohet se ka aktivizuar minën ku mbeti i vrarë në Banjskë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Simiçi konsiderohet një nga njerëzit e afërt të të dyshuarit kryesor të sulmit në Banjskë, kriminelit Milan Radojçiç.
Me gjithë këtë histori, Slavko Simiç ulet si anëtar i një prej komisioneve më të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, ai për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili në shumicën e rasteve ka qasje në informacione të ndjeshme për sigurinë në vend.
Çuditërisht, emërimi i tij në këtë komision nuk përbën kurrfarë shqetësimi për Vetëvendosjen, e cila dikur Simiçin dhe krejt Listën Serbe e ka përdorur politikisht – me akuza për terrorizëm, krim dhe lidhje direkte me Beogradin.
“Na e dimë që Lista Serbe ‘de facto’ kryetarin e vet e ka Milan Radojçiqin, i cili rri prej Rashkës e Novi Pazarit deri në Beograd e Novi Sad dhe i takon këta të Listës Serbe”, thoshte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, kur Kurti bëri këtë deklaratë, ai anashkaloi faktin se dikur Vetëvendosje koordinohej me Listën Serbe për votimin e ligjeve dhe Slavko Simiç ishte kanali kryesor që mundësonte komunikimin e ish-shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, me Milan Radojçiqin.
Në Komisionin për Siguri, Slavko Simiç ulet edhe si i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës, nën akuzat se në vitin 2023 nxiti një grup protestuesish në Leposaviq të sulmonin rëndë gazetarët e mediave kosovare dhe veturat zyrtare të Policisë së Kosovës.
Qasje në informacione kritike do të ketë edhe deputeti tjetër i Listës Serbe, Nemanja Bisevaç, si anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, një trupë që mbikëqyr ligjshmërinë, operacionet dhe transparencën e inteligjencës së Kosovës, fton drejtuesit për raportim dhe ka mundësi të depërtojë në strukturat e brendshme të sigurisë.
Dhe as për këtë, Vetëvendosje nuk shprehu kundërshtim kur përbërja e komisioneve parlamentare u votua njëzëri nga i gjithë Kuvendi.
Në këtë normalitet të ri të shpikur nga Vetëvendosje, pyetja që duhet të bëhet është:
Çka ndryshoi Lista Serbe – që nga një parti e lidhur direkt me Beogradin, që synonin ta shpallnin si terroriste dhe të mos e certifikonin për zgjedhje, tash ka qasje në informatat e ndjeshme për sigurinë në vend?








