Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka shpallur konkursin e ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit kështu duke u anuluar procesi që kishte nisur me propozimin e emrit të Blerim Isufajt për këtë pozitë.

Konkursi është shpallur të hënën në një mbledhje të Këshillit Prokurorial por kujtojmë që Ushtruesja e Detyrës së Presidentës, Albulena Haxhiu e kishte kërkuar këtë.

“Këshilli Prokurorial sa më parë duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar, siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse asnjëherë nuk do të dekretohen personat që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të përgatitura paraprakisht”, kishte deklaruar Haxhiu në konferencën e shpalljes së datës së zgjedhjeve.

Ndërkohë, pushteti aktual propozimin për Blerim Isufajn e kishte zvarritur që nga viti 2022 kështu duke e kundërshtuar ashpër zgjedhjën e tij dhe duke e lënë vendin me ushtrues detyre të Kryeprokurorit.

“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentës së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë”, kishte deklaruar Albin Kurti për kandidaturën e Blerim Isufaj për Kryeprokuror.