Në një takim në SHBA me të Dërguaren e Posaçme të Britanisë për Ballkanin, Dame Karen Pierce, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se dënimet e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, “janë të padrejta dhe të rënda”. Por, kryeministri nuk përmendi askund pafajësinë si verdikt në të cilin populli ose ai e partia e tij beson. Ai nuk tha as që pret që Apeli t’i shpallë katërshen udhëheqëse të UÇK-së si të pafajshëm.

“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, shkroi Kurti në Facebook.

Në një bashkëbisedim me studentë, të shtunën Kurti drejtoi kritika për strategjinë e përdorur nga krerët e UÇK-së në Gjykatë Speciale.

Sipas tij, do të kishte qenë shumë më e lehtë për Qeverinë e Kosovës  t’u ndihmonte atyre nëse do të kishin një ekip të përbashkët mbrojtës.