Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për propozimin e Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës si Presidente, mirëpo as nuk ia ka përmendur emrin asaj, madje theksoi se nuk e di se është e propozuar e LDK-së.

Këto komente, Kurti i bëri në një konferencë për media të martën, derisa komentoi paraqitjen e të hënës së LDK-së, të cilët treguan se i kanë 15 nënshkrimet e deputetëve të tyre për kandidat për President që propozohet nga ta, e cila mund të ishte edhe Vjosa Osmani.

“Unë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, e kam takuar disa herë, madje shumë herë. Nuk ka pasur asnjëherë asnjë propozim. Përkundër kësaj, kishte vetëm refuzime. Unë propozime, ai refuzime”, tha Kurti. 

“Ndërkaq, sa i përket paraqitjes së djeshme në orët e vona të natës, së pari ata dolën pas seancës, ndërkohë që para seancës nuk e thanë asnjë propozim, që flet qartë për qëllimin. Së dyti, letra me 15 nënshkrime do të mund t’i ofrohej VV-së në mënyrë institucionale, ose te Shefja e Grupit tonë parlamentar, Arbërie Nagavci, ose tek unë si Kryetar i subjektit politik. Sepse rreth orës 23:00 të natës, pasi që u ndërpre seanca, dolën me një listë ku ishin emrat e tyre, po shumë interesant, nuk shkruante për çka janë ata emra”, shtoi.

“Emri i askujt nuk ishte aty përveç se i 15 deputetëve që dukej sikur të ishte ndonjë listë për ndonjë debat parlamentar për energjinë ose për diçka tjetër. Aty nuk thuhej që ata emra janë për këtë kandidat dhe unë besoj të nderuar gazetarë ata ata emra duhet të m’i japin mua, jo juve”.

Ai theksoi se po ta kishte emrin e qartë të LDK-së, do t’i kërkonte njërës prej kandidatëve që propozoi të martën VV-ja, në këtë rast Hatixhe Hoxhës, që të tërhiqet.

“Dhe t’i shtojmë edhe 15 të tjerë sepse me 15 gjysmë kandidati mundesh me bë për aplikim dhe ta kemi Feride Rushitin me një kandidat tjetër, kështu kanë mundur të bëjnë”, potencoi Kurti ndër të tjera.