Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë ka njoftuar se është larguar nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë.
Nga LDK kanë thënë se këtë vendim e kanë marrë për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së nga Kryetari Faton Peci.
“Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, ata kanë sqaruar se ky emërim “nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë”.
“Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, theksohet në reagim.









