“Sot Kosovës nuk i duhet më shumë zhurmë politike, i duhet më shumë seriozitet, më shumë dije, më shumë njerëz që dijnë të ndërtojnë institucione dhe jo të zbrazin propagandë mllefi”.

Kështu ka folur Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në tubimin e prezantimit të kandidatëve për deputetë në Gjakovë, për ish-Presidenten Vjosa Osmani, por pa ia përmendur emrin.

“Prandaj, lista jonë nuk është ndërtuar mbi famë boshe apo mbi pazare politike. Kjo listë është ndërtuar mbi punë, mbi dije dhe mbi shërbimin publik, sepse ne besojmë në modelin e shtetit ku politika nuk është strehë e mediokritetit, por bashkim i dijes, i ndershmërisë dhe i përgjegjësisë”, deklaroi Kurti.

Përplasja mes Kurtit dhe Osmanit filloi pasi që kjo e fundit nuk u nominua nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për një mandat në krye të shtetit.