Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të ngutej për të thënë se Albin Kurti do të dështojë në krijimin e Qeverisë së re, ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë afat kushtetueses që Kurti të paraqesë para Kuvendit përbërjen e ekzekutivit të ri.
Në një prononcim për gazetarë, Osmani thotë se është e qartë që deri më tani Kurti nuk i ka numrat për Qeveri të re, pasi që u pyet për mundësinë e zgjedhjeve të reja.
“Tash për datën e saktë të vendosur për atë çështje, nëse vijmë deri te një situatë e tillë ku as partia e parë dhe as kushdo që mund ta ketë mundësinë e dytë, sepse ajo është në diskrecion të institucionit të presidentes, nuk arrin, atëherë janë afatet e caktuara me kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Osmani.
Megjithatë, e para vendit tha se “nuk do të ngutsha që të jap supozime se do të dështohet në krijimin e Qeverisë”, pasi që vlerëson se “ka ende edhe pak kohë, ta shohim”.
“Shpresoj që të ketë angazhim maksimal për krijimin e Qeverisë së Kosovës, sepse qytetarët kanë votuar me datën 9 shkurt të këtij viti që të ketë institucione, e jo që të rikthehen në zgjedhje”, pohoi ajo ndër të tjera.









