U ndalua importi i rrymës nga Serbia, deri tash s’po merrej rrymë nga Serbia, Veriu po furnizohet me rrymë nga Serbia.
Kështu, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në konferencën për media në pak minuta tha tri gjëra të ndryshme.
Fillimisht, Rizvanolli ka thënë se u ndalua importi i rrymës nga Serbia.
“Sipas informatave që i kemi nga KEDS dhe KESCO si operator i distribucionit dhe respektivisht furnizues i shërbimit universal as ata nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e ndaluar, ndërsa nga sot është e ndaluar”.
Pastaj, Rizvanolli tha se deri më tani s’ka pasur tregtim të rrymës me Serbinë.
”Kjo nuk do të thotë se ne deri tash kemi pasur shkëmbime të energjisë elektrike me Serbinë”.
Më pas, Rizvanolli theksoi se Veriu po furnizohet me rrymë nga Serbia.
“Një përjashtim është këtu. Është furnizuesi që furnizon komunat veriore që është themeluar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, i cili sipas informatave tona merr energji nga Serbia dhe në këtë fazë për shkak se bazohet në një Marrëveshje Ndërkombëtare ne nuk do të ndërhyjmë aty”.









