Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i cili dënoi gjuhën e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ndaj mediave. Në një reagim, LDK tha se ”organizata e gazetarëve, në vend që të trajtojë me seriozitet shqetësimet e ngritura për standardin profesional dhe përgjegjësinë publike në media”, ka zgjedhur sipas tyre “të përdorë etiketime politike dhe të delegjitimojë një qëndrim të shprehur publikisht”.
“Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato bashkëjetojnë dhe forcojnë njëra-tjetrën”, thuhet në reagimin e partisë.
“Është e papritur që një organizatë profesionale si AGK të përdorë gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale. AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla”, shton.
Reagimi i LDK-së vjen pasi AGK dënoi deklaratat e Abdixhikut, i cili në një intervistë televizive kishte përdorur termin “mercenarë medial” për disa media dhe gazetarë, duke i cilësuar këto deklarata si gjuhë të papranueshme dhe potencialisht të rrezikshme ndaj mediave dhe gazetarëve.










