Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit, që udhëhiqet nga Alban Hyseni i Vetëvendosjes, për vitin 2025, është gjetur se janë angazhuar dhjetëra punonjës për shërbime të veçanta pa procedura ligjore.
Aty theksohet se në 95 raste, Komuna nuk kishte aplikuar procedurat e prokurimit me rastin e angazhimit të punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta gjatë vitit 2025.
“Për këta punonjës nuk ishte aplikuar as procedurë e rekrutimit me kritere përzgjedhëse, ndonëse ata ishin angazhuar për kryerjen e detyrave që i përkasin pozitave të rregullta të punës”, thuhet në raport.
Pagesat për këta punonjës, siç thuhet, ishin realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. “Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve efektive të brendshme dhe mbikëqyrjes nga menaxhmenti lidhur me zbatimin e procedurave ligjore për angazhimin e stafit”.
Siç citohet në këtë raport, sipas Ligjit për zyrtarët publikë neni 101 thotë se “marrëveshjet për shërbime të veçanta, lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”.
“Më tutje, sipas nenit 57 procedura e prokurimit për shërbime të veçanta, aplikohet për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilët nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për zyrtarët publikë”, potencohet ndër të tjera.
Aty theksohet se anashkalimi i procedurave të prokurimit me rastin e angazhimit të stafit mund të ndikojë “në mungesë të transparencës dhe konkurrencës në procesin e përzgjedhjes, si dhe të rrisë rrezikun për angazhimin e personave që mund të mos kenë kualifikimet e nevojshme për kryerjen e detyrave të caktuara”.
Raporti i auditorit rekomandon se Kryetari duhet të sigurojë që me rastin e angazhimit të stafit për shërbime të veçanta, të respektohen kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin përkatës, përfshirë edhe zbatimin e procedurave të prokurimit publik, në mënyrë që të sigurohet transparencë, konkurrencë dhe përzgjedhje e duhur e stafit.








