Xhafer Tahiri ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tahiri përmes një postimi në Facebook, të enjten.

“Me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri”, shkroi Tahiri.

Ai theksoi se ky vendim nuk vjen “as nga lodhja, as nga zhgënjimi”. “Vjen nga dashnia e madhe që kam për qytetin e zemrës dhe nga respekti që kam për secilin prej jush”.

Tahiri ka thënë se beson që udhëheqja “duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja, për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri”.

“Në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Vushtrrinë, për LDK-në e fortë e fituese dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në atdheun tonë”, shtoi ndër të tjera Tahiri.

Tahiri, që kishte qenë kandidat i LDK-së për Kryetar të Vushtrrisë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për balotazhin e 9 nëntorit kishte nënshkruar marrëveshje koalicioni në emër të degës së LDK-së në Vushtrri me Vetëvendosjen, e cila u përballë në balotazh me PDK-në, dhe që humbi ndaj saj.

Ky vendim ishte kundërshtuar nga Kryesia Qendrore e LDK-së, duke thënë se Tahiri s’kishte pasur aprovimin e partisë për të bërë koalicion.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte paralajmëruar se do të merrte masa ndaj Tahirit pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për këtë vendim, sipas tij, të paautorizuar nga partia.

Nga ana tjetër, Tahiri, pas kritikave të forta që kishte marrë nga Abdixhiku dhe pjesa tjetër e Kryesisë së LDK-së, kishte publikuar disa mesazhe me Abdixhikun, përmes të cilave bëhej e ditur se Abdixhiku kishte qenë në dijeni të marrëveshjes me VV-në, por kishte kërkuar që e njëjta të mos bëhej publike.