Partia “Guxo” me kryetar Faton Pecin, e përcjellëse të tij Donika Gërvallën po del se s’ka as adresë legjitime, rrjedhimisht as objekt ku ushtron veprimtarinë e saj.

Raporti i përgatitur nga “Audit&Conto” ka zbuluar se adresa e deklaruar e selisë qendrore në rrugën “Tring Smajli” në Prishtinë në fakt ka ekzistencë të kontestuar.

Ky subjekt s’ka ofruar as kontratë qeraje, as dëshmi për shpenzime të zyrës, as fletë posedimi apo ndonjë dokument tjetër relevant që e dëshmon vendndodhjen e kësaj selie.

Por situata ‘anarkike’ në “Guxo” s’merr fund këtu.

Ajo s’ka deklaruar asnjë aktivitet financiar në pasqyrat e saja vjetore për vitin 2024, përveç disa gjobave që kishte marrë nga KQZ.

Kjo sipas auditorëve ka ndodhur pavarësisht se subjekti ka pasur aktivitete të zhvilluara.

Pra pavarësisht se partia ka dalë në fushatë, anëtarët e saj kanë udhëtuar, kanë shpenzuar dhe kanë kryer aktivitete normale si çdo subjekt tjetër.

Në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, “Guxo” ka deklaruar 4 mijë e 200 euro të hyra e 4 mijë e 127 euro shpenzime, me gjithsej 72 euro “tepricë”.

Por këto shpenzime nuk janë specifikuar as kah kanë ardhur dhe as sa ka qenë shuma e tyre specifike për paga, transport, fushatë apo çfarëdo lloj kategorie tjetër.

“Guxo” ka qenë në katër vjetet e fundit pjesë e Qeverisë.

Nga kjo parti janë dy ministrat ndër më të përfolurit për korrupsion, huqje e skandale tjera.

Dhe janë pikërisht liderët e partisë, Faton Peci e Donika Gervalla.