Në seancën për votimin e Qeverisë Konjufca, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pret asgjë, përveç “faktit të konfirmimit që na janë humbur 15 ditë, duke e ditur dhe pritur rezultatin e njëjtë”.
Kështu ka thënë Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para hyrjes së tij në seancën ku pritet të votohet qeveria e re, me Glauk Konjufcën si Kryeministër.
“Sot, LDK-ja nuk pret asgjë, përveç faktit të konfirmimit që na janë humbur 15 ditë, duke e ditur dhe pritur rezultatin e njëjtë. Pra, VV-ja e ka ditur që nuk i ka numrat, e ka ditur që e kemi një krizë, e kemi paralajmëruar këtë krizë, dhe sërish kanë vendosur që të na i shfrytëzojnë 15 ditë për të ardhur në rezultatin e njëjtë”, tha Abdixhiku.
Gjithë ky shpenzim i kohës, në vlerësimin e Abdixhikut, është bërë për një qëllim: “të krijohet një shfaqje teatrale”. “Dhe nëpërmjet një shfaqje teatrale të krijohen disa kundërshtarë imagjinarë që nuk ekzistojnë në të vërtetë dhe kështu të përgatitet material elektoral”, shtoi ai.
Kreu i LDK-së konsideron se “është fatkeqësi që Kosovës në këtë krizë i janë humbur 15 ditë”.
“Në këto 15 ditë as nuk është bërë ndonjë përpjekje për të bërë shumicë, as nuk është kontaktuar ndonjë parti për të zgjidhur çështjet me emergjencë që janë për Kosovën”, deklaroi ai ndër të tjera.









