Në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë, një grup jo i vogël shqiptarësh, i përqendruar kryesisht në Shqipërinë e Mesme, të udhëhequr nga një figurë tragjike me emrin Qamil Zyber Xhameta, i njohur si Haxhi Qamili ose Qamil Baba, do të fillonin një kryengritje kundër pavarësisë së Shqipërisë.
Ata donin rikthimin e Shqipërisë nën Perandorinë Osmane.
Nën Sulltanin.
“Duam babën” thoshin, derisa digjnin flamurin e shtetit shqiptar.
Gjithë ajo sakrificë e patriotëve për t’u çliruar, pavarësuar, ndërtuar kombin e shtetin dhe ja ku i kishe në anën tjetër haxhiqamilët, që të rehatuar e mësuar brenda atij sistemi, përkundër se sundim, nuk donin ta këmbenin qoftë dhe me lirinë e tyre e të popullit.
E pabesueshme, e pashpjegueshme, mund të jetë kjo e di për secilin që fillimisht në librat shkollorë të historisë has në Haxhi Qamilin dhe kryengritjen e tij.
Për t’u rritur më pas dhe për ta kuptuar shpejt, siç më ka ndodhur edhe mua vetë, se Haxhi Qamili nuk ishte një skizofreni kolektive e një grupi në një kohë të caktuar brenda një konteksti të dhënë.
Një pjesë e shqiptarëve e kanë këtë trajtë dhe nuk janë pak. Tamam janë.
Kështu e shpjegoj edhe faktin se si sot shqiptari e sheh në fotografi Albin Kurtin në miqësi të shfrenuar me George Papandreou, dikur mik i madh i Slobodan Millosheviç-it dhe nuk e ka problem aspak.
Pra, njeriu që i bënte hije Millosheviç-it dikur, që fliste pro tij e takohej me të edhe kur regjimi i Millosheviçi-t kryente gjenocid në Kosovë, pra njeriu që doli egërsisht kundër pavarësimit të Kosovës, sot kultivon miqësi të ngushtë më kryeministrin e asaj Kosove që e kundërshtonte.
Sot këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Veton Surroi, del lehtësisht e datat historike si ajo e vitit 1981 i përbaltë, shanë e fyen me lehtësinë më të madhe edhe vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe prapë mirëmbahet si njëfarë autoriteti nga një pjesë e shqiptarëve.
“UÇK-ja nuk ishte realisht Ushtri Çlirimtare e Kosovës, por ishte një ushtri e cila, ose një grup i armatosur i cili i shërbente një qëllimi politik, i cili nuk ishte i tërësishëm për krejt Kosovën”, thoshte Surroi.
“Pra, ju thoni për UÇK-në: ajo që është quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka qenë ushtri, nuk ka qenë çlirimtare dhe nuk ka qenë e Kosovës”, e citonte gazetari Adriatik Kelmendi publicistin Surroi.
Si ishte e mundur, do të pyesin gjeneratat e ardhshme për këtë që po ndodhë sot, njëjtë siç pyesnim ne për Haxhi Qamilin.
Po a e shihni si përsëritet historia, normalisht me korniza e fytyre tjera, por çuditërisht na tronditë më pak kur ajo ndodhë para syve tanë se kur e lexojmë në libra.
Haxhi Qamili dukej si një mbetje periferike e një pjese të popullit që s’ishte i përgatitur për lirinë e vet, dukej e çuditshme deri në kriminale se si dikush e këmben lirinë për nënshtrim dhe e djeg flamurin e vet duke e kërkuar prapë atë të Sulltanit, por ja ku e keni para syve tuaj.
Ja ku i keni prirjet e njëjta. Ja ku e shihni miqësinë e pashpjegueshme të kryeministrit tonë me dikë që ishte kundër lirisë e pavarësisë tonë.
Ja ku e keni Veton Surroin duke relativizuar luftën e përdhosur sakrificën dhe ne veç rrijmë. S’bëjmë asgjë.
Derisa të vijnë gjenerata të tjera e ta bëjnë pyetjen e njëjtë.
Si ishte e mundur?








