Pasi dështoi seanca konstituive me kërkesë të partisë fituese dhe liderit të saj, Albin Kurti i Vetëvendosjes, ky i fundit po thotë se nuk ka plan të ndërmarrë hapa për konstituimin e Kuvendit pa u marrë vesh me partitë e tjera për çështjen e Presidentit.
Sipas tij, një situatë e tillë do e dërgonte shtetin në zgjedhje.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Kurti.
Në një konferencë për media, ai po insiston që, përveç LDK-së, të takohet edhe me partitë e tjera, sidomos me AAK-në.
“Që nga certifikimi, pa humbur kohë, kemi dashur t’u japim shans diskutimeve, ashtu siç patën kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Diskutimi i radhës, pardje, tregoi se nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim. Përballë kësaj situate, është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, gjë që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe shmangien e zgjedhjeve të radhës. Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur të dakordohemi për Presidentin, të procedojmë me konstituimin e plotë të institucioneve”, tha Kurti.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës në një intervistë në Dukagjini nga seanca e Kuvendit tha se Rregullorja e Kuvendit lejon kërkimin e kohës shtesë, por theksoi se ajo mund të zgjasë vetëm deri nesër në mesnatë.
Sipas tij, deri nesër në orën 23:59 Kuvendi duhet ta ketë përfunduar plotësisht procesin e konstituimit, duke zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që të respektohet afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.









