Xhelal Sveçla, atëherë zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Skender Hysenit, dhe ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, pas një rasti të rëndë që kishte tronditur Kosovën në vitin 2016.
Më 22 nëntor të atij viti, Sveçla deklaronte se katër suspendimet e zyrtarëve përgjegjës nuk ishin të mjaftueshme.
“Me gjithë atë që ka ndodhur për këto 17 ditë, normalisht se këto katër suspendime janë të pamjaftueshme”, deklaronte ai për Klan Kosovën.
Sipas një deklarate të publikuar nga Lajmi.net, Sveçla kërkonte edhe dorëheqjen e dy ministrave.
“Dorëheqja e dy ministrave është e domosdoshme”, thuhej në kërkesën e tij të atëhershme.
Sveçla e konsideronte të pamjaftueshëm suspendimin e vartësve dhe kërkonte përgjegjësi politike nga drejtuesit e dikastereve të Brendshëm dhe të Drejtësisë.
Tash, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, kërkesat për përgjegjësi institucionale u drejtohen edhe vetë Sveçlës dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor, pasi kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet për dhunën me të cilën po përballej.
Tri ditë para vrasjes, ajo i kishte shkruar Prokurorisë, duke paralajmëruar rrezikun për jetën e saj. Edhe ditën kur u vra, ajo kishte raportuar dhunë.
Policia e kishte shoqëruar për në shtëpi, por më vonë ajo u vra aty. Për rastin dyshohet ish-kunati i saj, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Pas vrasjes, institucionet nisën shqyrtimin e lëshimeve të mundshme. Më 29 tetor, u suspenduan 11 zyrtarë policorë në Pejë.









