Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit, e ka krahasuar Kryeministrin në detyrë të Kosovës me Don Kishotin, një figurë letrare. Ai theksoi se Kurti ka qeverisur në një realitet paralel.
“Fatkeqësisht, shteti ynë ka kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh vetëm një njeri – Albin Kurti. Sikurse Don Kishoti i Cervantesit, edhe Albin Kurti zgjohet çdo ditë në një botë që e ka krijuar vetë dhe aty sheh vetëm kundërshtarë”, tha Abdixhiku.
“Dhe në atë botë Albin Kurti i Vetëvendosjes sheh dhe krijon vetëm kundërshtar, kundërshtarë që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë, ju gjeneral Hadërgjonaj, ti Ramush, ti Fatmir, ju gra dhe burra që keni luftuar. Kundërshtarë që duan ta bllokojnë Kosovën, vendin tonë, vendin ku për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijët tanë këtu Albin, pasurinë më të madhe që e kemi. Pra, ne duam ta bllokojmë vendin e fëmijëve tanë”, deklaroi kreu i LDK-së në formë ironie.
Sipas tij, temat që i prekin qytetarët nuk janë as qëllim e as prioritet i Kurtit, “Po të ishin do të ishin zgjidhur ose të paktën do të ishin provuar të zgjidheshin”.
Abdixhiku theksoi se ai që e ka brengë bllokadën, krizën “nuk i shpenzon 15 ditë kot, 15 ditë të vlefshme para krizës për të ardhur me rezultatin e njëjtë pa vota për shumicë”.








