Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke komentuar afatin kushtetues, mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe thirrjet për marrëveshje politike.
Haxhiu ka pretenduar se edhe vitin e kaluar Kuvendi nuk ishte konstituar brenda 30 ditësh, duke iu referuar kohës nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese deri në përfundimin e procesit.
“Në vitin e kaluar, prej momentit kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që brenda 30 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, e deri në konstituim kanë kaluar diku 160 ditë. Po t’u heqim këtu ditët kur çështjet kanë qenë duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, janë gjithsej diku 59 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se presidenti, apo në rastin aktual ushtruesja e detyrës së Presidentes, ka 30 ditë nga certifikimi i rezultateve për ta thirrur seancën konstituive.
Sipas Haxhiut, deputetëve duhet t’u jepet mundësia që të bëjnë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit.
“Por në anën tjetër, ju e dini që sipas Kushtetutës, presidenti – në këtë rast Kosova nuk ka president, ka vetëm ushtrues detyre – i ka 30 ditë nga certifikimi për të thirrur seancën konstituive. Tash po u mbetet deputetëve vetëm një ditë përpjekje, nëse flasim për këtë interpretim, vetëm një ditë përpjekje për ta konstituar Kuvendin. Kjo s’ka logjikë”, tha ajo.
Haxhiu ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se pas konstituimit të Kuvendit nis afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit.
Ajo ka akuzuar se ekziston një përpjekje për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.
“Duket që ka një përpjekje, që unë s’po e kuptoj, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, por e kanë gabim. Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj që ka shumë gabim, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë”, është shprehur Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje partive politike dhe deputetëve që të marrin pjesë në seancë dhe të kërkojnë një marrëveshje politike.
“I thërras partitë politike që të vijnë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu i thërras deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, liderët e partive politike, që të bëjnë përpjekje maksimale që të arrijmë një marrëveshje”, tha Haxhiu.
Sa i përket kandidatit për kryetar të Kuvendit, Haxhiu ka thënë se propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“I takon Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse seanca e sotme është antikushtetuese, pasi afati për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar në mesnatën e së premtes, Haxhiu ka thënë se çdo subjekt që e konteston atë mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Haxhiu ka folur edhe për pretendimet e opozitës se dyert e Kuvendit ishin mbyllur dhe se kërkesa për seancë ishte dorëzuar.
Sipas saj, 40 nënshkrimet e deputetëve nuk i janë dorëzuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
“40 nënshkrime nuk i janë drejtuar zotit Avni Dehari, pra kryesuesit të seancës. Prandaj unë s’po e kuptoj pse s’i kanë dërguar. Në qoftë se ata kanë dashur që të mbahet seanca, është kaq e thjeshtë: i dorëzon 40 nënshkrime”, tha Haxhiu.
Ajo ka bërë dallim mes njoftimit të administratës së Kuvendit dhe protokollimit të nënshkrimeve.
“Njoftimi që do të shkojnë në seancë ka ndodhur, mirëpo është i pamjaftueshëm. Duhet që të protokollohen 40 nënshkrime”, deklaroi Haxhi









