Armend Muja është kurbani i ri i Albin Kurtit. Kurti tash po e detyron Mujën që ta bëjë betejën e rëndë për pushtetin: çështjen e energjisë elektrike, çmimet e larta me rrymë, fitimet e Vuk Hamovicit në Kosovë e kompanitë fantome si NAO. Por, mashtrimi publik për tema që shihen ashiqare, nuk është i lehtë. Prandaj, Muja në tentimin e tij të fundit propagandistik, duke dashur të kritikojë ish-qeveritë ka sharruar keq duke përfunduar në lëvdata për ta.
Në postimin e tij të fundit në Facebook ku Muja publikon një dokument të Korporatës Energjetike të Kosovës të vitit 2010, ai shkruan “Në një dokument të vetëm rrënohet e gjithë propaganda opozitare mbi energjinë”, pa e ditur se po përfundon në rrënimin e propagandës së vet. Si fillim, Muja në postim e futë edhe kompaninë NOA por më pas e largon. D.m.th ja ka futë kot. Po, ky veç problem fillestar.
Dokumenti i publikuar nga Muja është një dokument i 28 prillit i vitit 2010 që paraqet procesverbalin e një mbledhje të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut. Aty flitet për një raportim të drejtorit të atëhershëm Menaxhues, Arben Gjukaj, ku thuhet se “është organizuar një takim në mes të KEK-ut dhe sekretarit të Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”. Shpjegohet se në atë takim “përfaqësuesit të Qeverisë së Serbisë i është dorëzuar propozimi për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi, i cili do të mundësonte krijimin e një kompanie, në cilësinë e nënkontratktorit të KEK-ut që do të kryente shërimin e arkëtimit, leximit dhe mirëmbajtje në zonën në Veri të lumit Ibër”.
Diku më poshtë njoftohet edhe se “Departamenti i Menaxhimit të Kapaciteteve ka raportuar se është importuar energji me kontratë nga GEN-i, Rudnap, KESH dhe EFT-ja e Vuk Hamovicit. Qëllimi i Mujës këtu, siç e shpreh ai vetë në status, është të tregojë se gjatë qeverisjes PDK-LDK tregtohet me EFT e Hamoviqit dhe pastaj e pranojnë si palë në diskutim për veri “Ministrinë e Serbisë për Kosovë’’. E para, Muja me këtë dokument zbulon diçka tejet të rëndësishme.
Po na del se KEK-u qysh në vitin 2010, mos harroni vetëm 2 vjet pas pavarësisë së Kosovës, po provonte të formonte një kompani, një ndërmarrje, e cila, “do tu përmbahet ligjeve në fuqi në Kosovë dhe duhet të jetë e regjistruar si afarizëm zyrtar në Kosovë”. Kjo nuk është keq. Kjo është fantastike. Kjo detyronte Serbinë, qysh në vitin 2010 të pajtohej me ekzistencën e Republikës së Kosovës.
E sot si jemi? Besnik Bislimi në Bruksel, përmes udhërrëfyesit për energjinë, ka pranuar që në Veri arkëtimi, leximi dhe mirëmbajta e energjisë elektrike të bëhet nga kush? Elektroseveri pra. Kompania shtetërore serbe. Pra, kemi degradim nga propozimi i KEK-ut në 2010 për kompani kosovare, në kalimin te kompania serbe që e bënë këtë punë. Më pas, Muja provon ta paraqes si tragjik faktin se Kosova po bisedoka në 2010-në me një Ministri për Kosovën të Serbisë, duke harruar i ngrati se Besnik Bislimi edhe në vitin 2025 është takuar me Petar Petkovicin, që është Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Edhe këto takime i ka paraqitur si sukses.
Pra, Armendi i shkretë, duke dashur të sulmojë, ha këtu fytyrës një shuplakë, duke përmbysur vetën dhe duke lëvduar praktikisht institucionet atëherë të vitit 2010 sepse ato çfarë po bënin, sipas vetë dokumentit të publikuar nga Muja, ishte: krijimi i një kompanie nën KEK-un dhe krejtësisht nën ligjet e Republikës së Kosovës, e cila do të mundësonte inkasimin në Veri, e kjo kompani e Kosovës, do të njihej nga Serbia, që praktikisht do të përbente njohjen e parë de jure të shtetit të Kosovës nga Serbia.
Tentimi i dytë i Mujës është konfirmimi se EFT e Vuk Hamoviçit ka tregtuar rrymë në Kosovë qysh nga viti 2010. Po, e vërtetë. Kjo s’është mohuar asnjëherë, por kjo jo as nuk ka qenë tema asnjëherë. Tema është: përse Vukë Hmovicit ju rritën fitimet me Kosovën këto kohët e fundit? Përse u krijuan kompani fantom si NOA nga viti 2021? Dhe përse Albin Kurti s’po e largon EFT-në, ashtu siç kishte premtuar?
Megjithatë, problemi i madh nuk është as mashtrimi i Albin Kurtit e as përpjekja e dëshpëruar e Armend Mujës. Problemi është te fakti se askush nga opozita nuk e përgënjeshtron Mujën edhe kur ky ta lë penall, si në këtë rast. Pse duhet unë ta ekspozojë Mujën? Pse nuk e bëni ju, dikush nga partitë opozitare, kur është kaq e thjeshtë? Kjo është telashja e madhe. Prandaj, shpesh, ju opozita, nuk jeni zgjidhja, por pjesë e rëndësishme e vet problemit.