Policia e Kosovës më në fund ka dalë me një kronologji të rastit tragjik në Pejë, ku një gruaje dyshohet se ia mori jetën kunati i saj, në Vitomiricë të Pejës.
Policia fillimisht ka treguar se çfarë, sipas saj, kishte ndodhur para aktit të vrasjes.
“Sot, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë është njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili ka ndodhur në fshatin Vitomiricë, në Pejë. Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar. Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48 orë. Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Më pas, Policia tregon se si, vetëm pak pasi ishte dërguar në shtëpi, ajo është vrarë, ndërsa i dyshuari kryesor (kunati) ndodhet në arrati.
“Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”, thotë Policia.
Në ndërkohë, në raportin 24 orësh të ngjarjeve Policia nuk e ka përfshirë fare rastin në fjalë.










