Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së “vetëm sa e rikonfirmon se Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë”.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen peng të këtij procesi të padrejtë dhe të pafund. Paraburgimi i stërzgjatur u është shndërruar atyre në një dënim të padrejtë dhe Gjykata Speciale, përveç se e ka humbur besimin tonë dhe e ka devijuar misionin e saj, po e thellon gjithnjë e më shumë edhe pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë”, shkroi Hamza në Facebook.
Çdo ditë e një procesi të padrejtë, theksoi ai, është e papranueshme dhe “16 shtatori është datë e largët për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie!”.









