Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke komentuar vendimin e Trupit Gjykues për të shtyrë edhe për dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Kosova ka nevojë për gjykata normale dhe jo për gjykata speciale, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.
Kurti theksoi se “besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të cilët vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në burg”.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për 2 muaj vendimi i tyre, ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë në shërbim të të cilit thuhet së është”, tha Kurti për gazetarë të enjten.
Ai adresoi kritika për ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, madje ditën kur është votuar në Kuvendin e Kosovës, e quajti si “më të rëndat” për vendin.
“Edhe një herë e theksoj Kosova ka nevojë për gjykata normale dhe jo për gjykata speciale, mirëpo amandamentimi numri 24 i Kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015, është një ndër ditët më të rënda të Kosovës të pavarur e të Republikës tonë demokratike dhe që të gjitha këto tash janë pasoja”, shtoi ai.
Ai theksoi se lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet e mësohet në histori nga panumër breza “si luftë e drejtë, e cila ishte kundër një okupatori armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë dhe njëkohësisht ishte luftë anti kolonialiste, sepse ne nuk e kishim vetëm këtë gjenocidin e fundit nga Serbia ky ishte gjenocidi i katërt që e ka bërë Serbia për më pak se një shekull e gjysmë ndaj popullit tonë”.
“Andaj, edhe UÇK si bartëse e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të ndihmuar nga mbarë kombi shqiptar jo veç në Ballkan, po edhe në mërgatë është një luftë e cila gjithmonë duhet të kujtohet të mbrohet të mësohet, por në të njëjtën kohë edhe është e domosdoshme që të nxjerren mësimet nga gabimet politike, të cilat janë bërë e të cilat na kanë sjellë në këtë situatë ku në vend se të kemi gjykata normale, kemi një Gjykatë Speciale e cila tash edhe i vonon vendimet e saj”.









