“Pas vrasjes time nuk pres të përgjigjeni – por pres të mos mund të flini”, kështu i ishte drejtuar Arlinda Zekaj, kryetarit të Trupit Gjykues në rastin ndaj saj, disa ditë para se të vritej me sopatë nga kunati i saj.
Arlinda Zekaj ia kishte dërguar letrën pasi që Gjykata kishte vendosur që ajo të jetonte me burrin në të njëjtën shtëpi.
“Rastet nuk qenkan të rastësishme. Tani e shoh sa kontribut japin institucionet në vrasjen e grave”, shkruan ajo në letrën e saj drejtuar kryetarit të trupit gjykues.
Ajo i thotë se afatet ligjore janë tejkaluar dhe “ligji e kompetenca e gjyqtarit nuk mund të zëvendësohen me fjalën ‘mundësi’”.
“Kurseni kohën dhe merruni me substancë, jo me ‘mundësi’”.
Letra e plotë e Arlinda Zukajt:
Ju jeni njoftuar me kohë – takimi me gjyqtarin, pa veprime konkrete, është zero.
Afatet ligjore janë tejkaluar dhe ligji e kompetenca e gjyqtarit nuk mund të zëvendësohen me fjalën “mundësi”.
Për më shumë, gjyqtari i juaj lëshon vendim kontradiktor që e bënë të vështirë jetën e një gruaje dhe lirinë e një fëmije.
Pse? Ndoshta nuk di, ndoshta di çfarë nuk duhet të dijë – di si të jetë mirë me të gjithë, e në veçanti me të fortit. E dhimbshme deri në asht.
Kurseni kohën dhe merruni me substancë, jo me “mundësi”.
As vrasjes time nuk pres të përgjigjeni – por pres të mos mund të flini.
Faleminderit që morët kohë për ta arsyetuar veten dhe gjyqtarin.









